Synohet shmangia e pasojave nga kriza greke, ndihmë për Rumaninë, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë


Institucionet më të rëndësishme financiare të botës po shqyrtojnë këtë fundjavë mundësinë për krijimin e një varke shpëtimi për disa vende të Europës Juglindore, të cilat janë goditur rëndë nga kriza në Greqi dhe efekti i saj në rajon, njofton revista “Times” e Londrës duke iu referuar burimeve nga këto banka. Sipas lajmit, krerët e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bankës Europiane të Investimeve, do të takohen në Tokio të Japonisë për të diskutuar pasojat e krizës së borxheve sovrane në Eurozonë në vendet e Ballkanit. Paketa e ndihmës së këtyre institucioneve vlerësohet se do të arrijë në 15 miliardë euro, por FMN-ja dhe Banka Botërore pritet ta kushtëzojnë ndihmën me reforma ekonomike, të cilat nuk parapëlqehen nga qeveritë e këtyre vendeve. BB ka ofruar deri në 300 milionë dollarë ndihma për Shqipërinë në fillim të këtij viti, por bisedimet nuk kanë ecur përpara për shkak të refuzimit të qeverisë për të pranuar kushtet për reforma.


Kredidhënësit pritet të diskutojnë detajet për një plan rigjallërimi ekonomik për rajonin me synimin për të koordinuar borxhin dhe investimet për bankat dhe kompanitë e tjera, si dhe për qeveritë në vështirësi.


Erik Berglof, kryeekonomist i BERZH i tha “Times”: “Plani i rimëkëmbjes për Europën Juglindore do të jetë një përpjekje e madhe dhe e koordinuar për të ndihmuar vendet që janë më shumë të ekspozuar nga infektimi nga kriza e Greqisë dhe eurozonës në tërësi. Shumë nga këto vende janë në pikë kritike”.


Christine Lagarde, drejtoresha e FMN-së sakaq ka paralajmëruar pjesëmarrësit se ngadalësimi ekonomik në Eurozonë po jep pasoja në tregjet në zhvillim, përfshirë Europën Lindore dhe Azinë.


Nga të dhënat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, disa nga vendet e rajonit tonë do të pësojnë rënie ekonomike për këtë vit ndërsa të tjerat do të pësojnë vetëm një rritje të lehtë. Pothuajse në të gjitha vendet do të ketë rritje të fortë të borxhit publik, por në disa vende, borxhi ka arritur sakaq në nivele shumë të rrezikshme.


Sllovenia pritet të ketë rënie ekonomike në masën 2.2 për qind për 2012, ndërsa kriza do të vijojë edhe në 2013. Borxhi publik pritet të rritet në 58 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm nga 47 për qind që qe vitin e kaluar dhe vetëm 22 për qind që qe në vitin 2008.


Në Serbi, problemet ekonomike janë vështirësuar edhe më shumë nga problemet politike, për të cilat ky vend është i famshëm. Ekonomia këtu pritet të ulet me 0.5 për qind këtë vit, por parashikohet të rimëkëmbet vitin e ardhshëm. Borxhi publik ka arritur në 56 për qind të PBB-së nga vetëm 31 për qind që qe në vitin 2007 dhe 42 për qind që qe vitin e kaluar.


Bullgaria është një nga vendet e shëndosha, ku ekonomia pritet të rritet me 1 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa qeveria e këtij vendi nuk ka borxh publik, por disponon rezerva financiare të barabarta me rreth 10 për qind të PBB-së.


Shqipëria pritet të ketë rritje ekonomike minimale prej vetëm 0.5 për qind për këtë vit, ndërsa borxhi publik vlerësohet se do të arrijë në 64 për qind të PBB-së, niveli më i lartë në rajonin e Ballkanit.