Ylli i Hollivudit, Leonardo DiCaprio, ka dëshmuar në gjykatë në Uashington, DC, në gjyqin për korrupsion të Prakazrel “Pras” Michel. BBC shkruan se reperi Michel, akuzohet se ka marrë para nga një manjat malajzian, Jho Low, për të ndikuar në një fushatë politike në SHBA.
Ai mohon akuzat duke përfshirë konspiracion dhe manipulim të dëshmitarëve. DiCaprio në gjyq nuk akuzohet për keqbërje dhe po shfaqet si dëshmitar. Autoritetet besojnë se financieri Low përdori burimet e tij për tu përpjekur të fitonte favorin e njerëzve të famshëm, duke përfshirë DiCaprio dhe modelen Miranda Kerr.
DiCaprio, i cili e përshkroi veten thjesht si “një aktor” u tha juristëve se ai u takua për herë të parë me Low në një festë në Las Vegas në vitin 2010. Në vitet e mëvonshme, ai mori pjesë në një mori ahengjesh luksoze në jahte dhe klube nate me ftesë të Low së bashku me aktorë dhe muzikantë të tjerë të famshëm.
Ndërkohë që filmi ‘Wolf of Wall Street’, ku luan DiCaprio u financua pjesërisht nga një firmë e lidhur me Low.
“E kuptova se ishte një biznesmen i madh me shumë lidhje. Ai ishte një mrekulli në botën e biznesit”, tha DiCaprio në gjykatë.