Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen në fund të qershorit 2026 për arsye familjare.

Në një letër drejtuar presidentit Donald Trump, ajo shpjegon se bashkëshorti i saj, Abraham, është diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit të kockave.

“Fatkeqësisht duhet të dorëzoj dorëheqjen time, efektive më 30 qershor 2026… Në këtë moment duhet të tërhiqem për të qenë pranë bashkëshortit tim dhe për ta mbështetur në këtë betejë”, shkruan Tulsi Gabbard në letrën e saj.

Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë, prej javësh kishte zëra për largimin e saj nga administrata, edhe pse më herët ajo kishte mohuar se po planifikonte dorëheqjen.

Deri tani, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi vendimin.

Gjatë mandatit të saj, Tulsi Gabbard është përballur me kritika për qëndrime kontradiktore, sidomos lidhur me politikën amerikane ndaj Iranit, ku shpesh ka pasur mospërputhje me linjën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo pritet të jetë një nga zyrtaret e fundit që largohet nga administrata pas ndryshimeve të fundit në kabinet.

Tulsi Gabbard është ish-ushtare e Gardës Kombëtare dhe ish-kongresiste demokrate nga Hawaii, e cila më vonë iu bashkua Partisë Republikane.

Ajo kandidoi për presidente në vitin 2020 si demokrate, ndërsa në vitin 2024 mbështeti fushatën e Donald Trump dhe më pas u emërua në krye të inteligjencës amerikane, duke mbikëqyrur 18 agjenci të sigurisë kombëtare.