Dy zyrtarë të ambasadës amerikane, të cilët sipas mediave të huaja ishin të lidhur me aktivitetet e CIA, humbën jetën në një aksident automobilistik në shtetin verior të Chihuahua-s në Meksikë.
Në aksident mbetën të vrarë edhe dy zyrtarë meksikanë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin doli nga korsia, përfundoi në një përrua dhe më pas shpërtheu.
Katër viktimat po ktheheshin nga një takim me zyrtarë meksikanë, në kuadër të një operacioni për shkatërrimin e një laboratori droge në një zonë të largët.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se do të hetojë nëse operacioni dhe përfshirja e mundshme e palës amerikane kanë shkelur ligjet e sigurisë kombëtare të vendit.
Nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm i Chihuahua-s, Cesar Jauregui Moreno, sqaroi se zyrtarët amerikanë nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në aksionin kundër laboratorit të drogës.
