Presidenti amerikan Donald Trump priti në Zyrën Ovale homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ku përpara fillimit të takimit privat, dy liderët shkëmbyen batuta dhe komente me tone ironike para gazetarëve.
Trump, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA, të cilat ai vazhdon t’i cilësojë si të manipuluara pavarësisht se këto pretendime janë rrëzuar nga gjykatat dhe institucionet zgjedhore tha me humor në drejtim të Erdogan:
“Ai i njeh zgjedhjet e manipuluara më mirë se kushdo.”
Komentet u pritën me të qeshura në dhomë, por ato sollën në vëmendje edhe sfidat demokratike me të cilat është përballur edhe vetë Erdogan, i cili është kritikuar ndërkombëtarisht për tendenca autoritare dhe shtypje të opozitës në Turqi. Në muajin mars, qeveria e tij arrestoi rivalin kryesor politik, një veprim që shkaktoi protesta të mëdha në vend.
Pavarësisht toneve ironike, të dy liderët u shfaqën të qetë dhe pozitivë përpara mediave. Erdogan theksoi rëndësinë e vizitës së tij në SHBA, që përkoi me zhvillimin e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Besoj se marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së mund të çohen në një nivel shumë më të ndryshëm,” tha Erdogan në turqisht, duke shtuar se çështje si bashkëpunimi ushtarak dhe programet e avionëve F-35 dhe F-16 do të jenë pjesë e diskutimeve.