Në Britani ka shpërthyer një skandal që tronditur botën mediatike. Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha ekzekutive e Informacionit, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen pas akuzave për paragjykim dhe manipulim të përmbajtjes në një dokumentar për presidentin amerikan Donald Trump.

Dorëheqjet vijnë pas polemikave të ashpra për mënyrën se si një fragment i fjalimit të Trump-it ishte montuar në emisionin investigativ Panorama, duke krijuar përshtypjen se ai kishte nxitur sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021. Në versionin e transmetuar nga BBC, Trump dëgjohej të thoshte se do t’u bashkohej mbështetësve për të “luftuar me çdo kusht”, ndërsa në pamjet origjinale ai i ftonte “të ecin me të për të mbështetur senatorët dhe kongresmenët”.

Në deklaratën e tij, Davie pranoi se debati publik rreth paanshmërisë së BBC-së ka ndikuar në vendimin për t’u larguar: “Si çdo organizatë publike, BBC nuk është e përsosur. Duhet të jemi gjithmonë të hapur, transparentë dhe të përgjegjshëm. Edhe pse nuk është arsyeja e vetme, kjo situatë padyshim ka ndikuar në dorëheqjen time,” tha ai.

Ministrja britanike e Kulturës, Medias dhe Sportit, Lisa Nandy, e cilësoi çështjen “jashtëzakonisht serioze”, duke shtuar se ajo tregon probleme më të thella me standardet redaksionale të BBC-së. “Nuk është vetëm për dokumentarin e Panorama-s,” u shpreh ajo, “por për një tendencë të vazhdueshme paragjykimi në mënyrën se si trajtohen tema të ndjeshme si Izraeli, Gaza, komuniteti trans apo figura të tilla si Trump.”

BBC ka premtuar t’i japë një përgjigje të plotë parlamentit britanik mbi këtë çështje ditën e hënë. Ironikisht, televizioni që ka ngritur flamurin e etikës mediatike në botë po përballet sot me akuza për të njëjtën gjë që u ka mësuar gazetarëve të tjerë të shmangin: manipulimin e fakteve.

Duket se as “shtëpia më e besueshme e lajmeve” nuk është imune ndaj tundimit për ta “përmirësuar” realitetin me prerje montazhi.