BBC ka kërkuar falje dhe ka pranuar të meta serioze në realizimin e një dokumentari për jetën e fëmijëve në Gaza. Dokumentari, “Gaza: How to Survive a War Zone,” (Si të Mbijetosh në një Zonë Lufte) u tërhoq nga iPlayer pasi u zbulua se narratori 13-vjeçar ishte djali i një zyrtari të Hamasit. Mediumi potencoi se nuk ka plane të transmetojë përsëri programin në formën e tij aktuale ose ta kthejë atë në iPlayer. Hoyo Films, kompania e prodhimit që realizoi dokumentarin për BBC, tha se mendonte se ishte e rëndësishme të dëgjoheshin nga zëra që nuk janë përfaqësuar në ekran gjatë gjithë luftës me dinjitet dhe respekt.

Kompania shtoi se po bashkëpunon plotësisht me BBC-në për të ndihmuar në kuptimin e gabimeve që mund të jenë bërë. BBC hoqi dokumentarin nga transmetimi pasi u ngritën shqetësime se ai kishte në qendër një djalë të quajtur Abdullah, i cili është djali i zëvendësministrit të bujqësisë të Hamasit. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera. Gjithashtu, BBC nisi një rishikim të dokumentarit, ndërsa Bordi i saj u mblodh për ta diskutuar këtë çështje.

Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i BBC-së tha se si kompania prodhuese ashtu edhe BBC-ja kishin bërë gabime të papranueshme dhe se korporata merr përsipër përgjegjësinë e plotë për këto gabime dhe ndikimin që ato kanë pasur në reputacionin e saj. Gjithashtu, u shtua se BBC nuk ishte informuar paraprakisht nga kompania prodhuese e filmit mbi lidhjet familjare të adoleshentit.