Përpjekjet e Serbisë për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian kanë pësuar një tjetër goditje, pasi ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së nuk arritën të sigurojnë unanimitetin e nevojshëm për hapjen e një kapitulli të ri negociues.

Sipas diplomatëve evropianë, tetë nga 27 shtetet anëtare kundërshtuan hapjen e Klasterit 3, i cili fokusohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Kundër këtij hapi votuan Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia. Ndërkohë, Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia nuk e kundërshtuan plotësisht procesin, por kërkuan garanci shtesë për progresin e Serbisë. Nga ana tjetër, vende si Franca vazhdojnë të mbështesin integrimin evropian të Beogradit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar më herët se Bashkimi Evropian ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike”.

Sipas burimeve diplomatike, kundërshtimet lidhen kryesisht me problemet e vazhdueshme të Serbisë në fushën e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe mosharmonizimin me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se Beogradi ka bërë përparim në disa fusha, përfshirë ndryshimet në legjislacionin për drejtësinë, lirinë e medias, reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Komisioni thekson gjithashtu se Serbia ka ndihmuar në parandalimin e shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë, ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin, megjithëse ende nuk është bashkuar zyrtarisht me regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Në të njëjtën ditë, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë të gjerë raportin për zgjerimin e vitit 2025, me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime. Raporti kërkon nga Serbia të përshpejtojë reformat në sistemin zgjedhor, të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të luftojë korrupsionin, ndërsa vlerëson se teknikisht Klasteri 3 është gati për t’u hapur. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se situata në vend është përkeqësuar gjatë viteve të fundit dhe se ritmi i reformave është ngadalësuar ndjeshëm.

“Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin përpara në negociatat e anëtarësimit, reformat e Serbisë në fushat kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike, kanë ngecur,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se autoritetet do të shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për të vijuar procesin e anëtarësimit.