Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka thënë se sulmet izraelite në Gaza shkojnë përtej asaj që është e nevojshme për të luftuar Hamasin, ndërsa numri i të vdekurve atje vazhdon të rritet.
Kallas tha gjithashtu se BE-ja nuk e mbështeti një model të ri të shpërndarjes së ndihmës të mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i cili anashkalon OKB-në dhe organizatat e tjera humanitare.
“Ne nuk e mbështesim privatizimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare. Ndihma humanitare nuk mund të përdoret si armë”, tha ajo.
Sulmet ajrore izraelite dhe veprime të tjera ushtarake që nga rifillimi i luftës në mars pas një armëpushimi kanë vrarë 3,924 persona, ka deklaruar ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Izraeli thotë se po vepron për të shkatërruar Hamasin dhe për të rimarrë pengjet që grupi mban.
Bombardimet e fundit izraelite kanë vrarë një numër të madh civilësh. Të premten e kaluar, një sulm ajror në Khan Younis vrau nëntë nga 10 fëmijët e një mjeku palestinez. Të paktën 35 persona u vranë në një ndërtesë shkolle që strehonte familje të zhvendosura në Gazën veriore gjatë natës deri të hënën, shkruan BBC.
Komentet e Kallas vijnë pas një ndërhyrjeje nga kancelari i ri gjerman Friedrich Merz, i cili deklaroi se nuk i kupton më objektivat e Izraelit në enklavën e rrethuar.
“Mënyra se si është prekur popullsia civile… nuk mund të justifikohet më me një luftë kundër terrorizmit të Hamasit”, tha ai.
BE-ja është një nga donatorët më të mëdhenj të ndihmës humanitare në Gaza, megjithatë Kallas tha se pjesa më e madhe e saj aktualisht nuk është në gjendje të shkojë tek palestinezët që kanë nevojë për të. Izraeli vendosi një bllokadë të plotë në Gaza në mars dhe filloi të lejonte hyrjen e një sasie të vogël ndihme vetëm pas 11 javësh.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i përshkroi sulmet e fundit izraelite ndaj infrastrukturës civile të Gazës si “të neveritshme” dhe “joproporcionale”.
Kjo vjen gjithashtu pas kritikave më të ashpra deri më tani nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja, të cilat kërkuan që Izraeli të ndërpresë ofensivën e tij ushtarake në Gaza. Mbretëria e Bashkuar më vonë tha se po pezullonte bisedimet tregtare me Izraelin.
BE-ja ka nisur një shqyrtim formal të marrëveshjes së saj tregtare me Izraelin dhe Kallas tha se ajo do të paraqesë “opsione” në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel më 23 qershor. Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar se popullsia prej 2.1 milionë banorësh e Gazës po përballet me nivele katastrofike të urisë pas një bllokade pothuajse tre-mujore izraelite që u lehtësua javën e kaluar.
Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza në përgjigje të sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Të paktën 54,084 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit.




