Komisioni Evropian (KE) konsideron, se zgjatjet e përgjithshme të kontrolleve kufitare në Gjermani nuk janë të arsyetuara mjaftueshëm. Në një deklaratë të autoritetit në Bruksel thuhet, se informacionet e dhëna nga qeveria federale nuk i justifikojnë në mënyrë të mjaftueshme kontrollet aktuale në të gjithë kufijtë.
Mungon një shpjegim se pse kërcënimi i përmendur nga Ministria Federale e Brendshme duhet të jetë i njëjtë në çdo segment të kufirit. Gjithashtu thuhet se nuk ka një arsye pse një periudhë prej gjashtë muajsh – dhe jo një periudhë më e shkurtër – konsiderohet më e përshtatshme për një zgjatje. Në total, kontrollet kufitare janë zgjatur tashmë tri herë – së fundi edhe për gjashtë muaj deri në mesin e shtatorit 2026.
Komisioni Evropian propozon alternativa për Republikën Federale dhe vendet e tjera anëtare për të hequr gradualisht kontrollet e vendosura në zonën Schengen. Brukseli rekomandon të punohet drejt “ndalimit gradual dhe heqjes së kontrolleve në kufijtë e brendshëm”, siç rezulton nga një komunikatë.
Ekzistojnë metoda më efikase dhe më të efektshme, si kontrolli selektiv i policisë ose përdorimi i teknologjive si identifikimi biometrik dhe gjurmimi i automjeteve. Komisioni Evropian nuk përcakton një afat konkret se deri kurGjermania dhe shtetet e tjera të BE-së duhet të përfundojnë kontrollet brenda Evropës.
Sipas Komisionit Evropian, ka shumë ankesa. Në deklaratë, Komisioni thekson se megjithatë mund të ketë arsye për shqetësime serioze në lidhje me sigurinë kombëtare të shteteve anëtare dhe se Gjermania përballet me një situatë komplekse migrimi dhe shumë kërkesa për azil.
