Holanda po ecën përpara me planet për krijimin e qendrave të para europiane të “kthimit” jashtë Bashkimit Europian, ku emigrantët që u është refuzuar azili do të deportohen jashtë territorit të BE-së. Sipas qeverisë holandeze, hapat konkretë për ngritjen e këtyre qendrave priten brenda muajve të ardhshëm.
Qeveria në Hagë, së bashku me disa vende të tjera europiane, po shqyrton gjithashtu mundësinë që aplikimet për azil të përpunohen jashtë Bashkimit Europian. Lajmi u bë i ditur përmes një letre të qeverisë drejtuar parlamentit holandez, të siguruar nga POLITICO.
“Në gjithë Europën, qytetarët kërkojnë zgjidhje të besueshme dhe funksionale për të rikthyer kontrollin mbi emigracionin. Këto zgjidhje po marrin formë dhe janë vlerësuar si të zbatueshme nga ana ligjore”-, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri holandez për Azilin dhe Migracionin, Bart van den Brink.
Qendrat e kthimit janë një nga elementët më të debatueshëm të reformës së madhe europiane për migracionin, të propozuar vitin e kaluar nga Komisioni Europian nën presionin e qeverive të djathta në BE. Ideja është që emigrantët, të cilëve u refuzohet azili, të mos qëndrojnë për periudha të gjata në vendet europiane për shkak të vështirësive të riatdhesimit apo mungesës së marrëveshjeve me vendet e origjinës. Një logjikë e ngjashme po diskutohet edhe për përpunimin e aplikimeve për azil jashtë BE-së, duke lejuar hyrjen vetëm për ata që marrin miratim.
Qendra e parë e kthimit jashtë Bashkimit Europian, vendndodhja e së cilës ende nuk është bërë publike, pritet të përdoret jo vetëm nga Holanda, por edhe nga Greqia, Gjermania, Austria dhe Danimarka, vende që kanë mbështetur forcimin e politikave kundër emigracionit të paligjshëm.
Sipas një diplomati europian, Holanda po bashkëpunon me Danimarkën, Maltën dhe Suedinë për opsionet e përpunimit të azilkërkuesve jashtë Europës. Italia ka një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë që prej fundit të vitit 2023, megjithëse modeli italian është ende eksperimental dhe është përballur me sfida ligjore.
Qeveria holandeze i informoi ligjvënësit se nuk sheh pengesa ligjore për ngritjen e qendrave të tilla, pas një analize të kryer nga instituti Clingendael. Megjithëse ende nuk është shpallur vendi ku do të ndërtohet qendra, bisedimet me disa shtete kandidate janë në vazhdim dhe marrëveshja përfundimtare mund të arrihet brenda gjashtë ose shtatë muajve të ardhshëm.
“Qëllimi nuk është të krijojmë spektakël politik, por të bëjmë punën ligjore në mënyrë që projekti të funksionojë realisht,”– tha diplomati europian.
Nisma e qeverisë së kryeministrit holandez Rob Jetten vjen në një moment kur institucionet e Bashkimit Europian po finalizojnë një projektligj të ri për migracionin, i cili lejon krijimin e këtyre qendrave të kthimit. Marrëveshja për reformën e migracionit pritej të arrihej më herët gjatë muajit, por negociatat janë shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve të minutës së fundit.
Prej vitesh, qeveritë europiane kanë hasur vështirësi në ndryshimin e rregullave të migracionit, pjesërisht për shkak të kufizimeve që burojnë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, më 15 maj, 46 shtete anëtare të Këshillit të Europës kërkuan që rregullat aktuale të lejojnë politika më efektive për menaxhimin e migracionit.
