Disa vende evropiane, të udhëhequra nga Franca dhe Italia, kanë nisur bisedime me Iranin për të siguruar kalim të sigurt të anijeve të tyre përmes Ngushticës së Hormuzit, në përpjekje për të rifilluar dërgesat e energjisë nga Gjiri Persik.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, negociatat janë në fazë fillestare dhe synojnë të zbusin tensionet që kanë bllokuar një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit, nga e cila kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në nivel global, janë reduktuar ndjeshëm pas sulmeve iraniane ndaj cisternave dhe deklaratave të udhëheqjes së re iraniane për ta mbajtur këtë rrugë detare të mbyllur.
Tre zyrtarë të informuar mbi bisedimet kanë bërë të ditur se disa kryeqytete evropiane kanë nisur kontaktet me Teheranin për të gjetur një zgjidhje që do të lejonte rifillimin e eksporteve të naftës dhe gazit, ndërkohë që kompanitë e transportit detar po kërkojnë edhe mundësinë e shoqërimit të cisternave nga flotat ushtarake perëndimore.
Franca është një nga vendet që po merr pjesë në këto bisedime, ndërsa Italia gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të hapur dialog me autoritetet iraniane mbi këtë çështje.
Teherani shihet nga shumë analistë si një aktor që po përpiqet të rrisë çmimet e energjisë në tregjet globale për të ushtruar presion politik ndaj Shteteve të Bashkuara. Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar së fundmi se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojë.
Vendet evropiane kanë tentuar të shmangin përfshirjen direkte në konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa disa prej tyre kanë kritikuar edhe sulmin fillestar të ndërmarrë nga SHBA dhe Izraeli që çoi në përshkallëzimin e konfliktit në rajon.
Megjithatë, qeveritë evropiane janë të shqetësuara për pasojat ekonomike të një bllokimi të zgjatur të ngushticës, pasi kjo do të rriste ndjeshëm kostot e energjisë për bizneset dhe familjet, duke përkeqësuar situatën ekonomike në kontinent.
Aktualisht, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur në rreth 100 dollarë për fuçi, nga rreth 60 dollarë që ishte në fillim të vitit, ndërsa çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur me rreth 75% gjatë së njëjtës periudhë.
