Eurozona duhet të përgatisë masat për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë krizës
Udhëheqësit e Bashkimit Europian përballen me dy muaj të vështirë, gjatë të cilëve do të duhet të bëjnë marrëveshje të sikletshme mbi qeverisjen e ardhshme të Eurozonës, para se ata të arrijnë përfundimisht të rivendosin besimin tek investitorët mbi monedhën e përbashkët, raporton “Reuters”.
Banka Qendrore Europiane ka premtuar se do të blejë sasi të pakufizuara bondesh të vendeve në vështirësi dhe kjo gjë ka qetësuar tregjet. Por Presidenti i Francës, Francois Hollande, duket se u nxitua disi kur deklaroi se kthesa e madhe drejt zgjidhjes së problemit është marrë tashmë. “Ne jemi në rrugë për të zgjidhur problemin që prej shumë kohësh ka paralizuar Eurozonën dhe e ka bërë atë të dobët”, tha Hollande. “Unë mund të konfirmoj se më e keqja është pas nesh”.
Por deri në mes të dhjetorit, shtetet e BE-së do të duhet të vendosin për buxhetin e vet të përbashkët, i cili do të jetë i vlefshëm për shtatë vjet, do të diskutojnë për bashkim më të fortë fiskal dhe për t’i dhënë Brukselit fuqi për të futur hundën në buxhetet kombëtare. Ata do të duhet të vendosin se si do të veprojnë për ta mbajtur Greqinë në treg dhe për të shmangur falimentin. Dhe do të përballen me disa muaj pasiguri, mbi faktin nëse Spanja mund ta shmangë falimentin kombëtar apo jo. Mbi të gjitha, Eurozona është shumë larg ritmeve të nevojshme të rritjes për ta bërë problemin e borxheve sovrane të menaxhueshëm si dhe për të rifutur në punë miliona njerëz që aktualisht nuk e kanë një të tillë.
Deri më sot, trazirat financiare kanë kërcënuar vetë ekzistencën e Eurozonës, trazira që disa muaj më parë filluan të pakësohen, por fundi i trazirave rrezikon të ulë edhe oreksin e udhëheqësve të BE-së për kompromise të vështira.