Vëzhgojmë dhe ndjekim me shqetësim përkeqësimin e situatës së medias në Slloveni dhe nxisim autoritetet sllovene të ndërmarrin veprime vendimtare për të ndaluar dhe përmbysur trendin aktual, deklaroi një zëdhënës i  Komisionit Evropian duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi dorëheqjen e drejtorit të agjencisë sllovene të shtypit, STA, pasi refuzoi kontratën e shërbimit publik sepse sipas tij do të dëmtonte pavarësinë e agjencisë.

”Javën e kaluar nënkryetarja e Komisionit, Vera Jourova i dërgoi një letër autoriteteve sllovene duke theksuar urgjencën e situatës dhe duke kujtuar detyrimet e qeverisë, siç u konfirmua kohët e fundit nga Gjykata Supreme sllovene”, shtoi zëdhënësi.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimet tona të rënda dhe pritjet tona nga qeveria sllovene për të garantuar pavarësinë dhe financimin adekuat”, shpjegoi zëdhënësi duke shtuar se “këto zhvillime tregojnë fatkeqësisht nevojën për një legjislacion evropian për mbrojtjen e lirisë dhe pluralizmit të medias”.

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë sllovene të lajmeve, STA dha sot dorëheqjen, pas presionit nga qeveria nacionaliste e krahut të djathtë, që i ka pezulluar agjencisë fondet publike, tashmë që prej nëntë muajsh. Më herët, negociatat për t’i dhënë fund bllokimit të pagesave midis kreut të autoritetit shtetëror të medias sllovene UKOM, Uros Urbanija dhe STA kishin dështuar.

Kryeministri Janez Jansa, i cili shpesh akuzohet nga kritikët se ka prirje drejtuese autoritare, pak a shumë hapur synon të ndikojë në raportimin e agjencisë, së cilës me ligj i garantohet financim i pjesshëm i shtetit. Në të njëjtën kohë, stafi drejtues dhe redaktues gëzojnë autonomi gazetareske. ”Unë kurrë nuk do të marr pjesë në shkeljen e autonomisë gazetareske”, thuhet në deklaratën e dorëheqjes së Veselinoviç./ATSH