Vizita e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor, ku qëndroi i shoqëruar nga një grup hebrenjsh nën mbrojtjen e policisë, nuk u kalua në heshtje nga vendet arabe.

Jordania e cilësoi këtë lëvizje të ministrit si “shkelje të hapur” të status quo-së historike dhe ligjore në Al-Aksa dhe si cenim të shenjtërisë së saj. Amani dënoi gjithashtu veprimet e ministrave dhe zyrtarëve izraelitë të shoqëruar nga grupe hebrenjsh, si dhe mbështetjen e policisë izraelite për këto aktivitete.

Sipas Jordanisë, çdo përpjekje për të ndryshuar statusin e vendit të shenjtë ose për të vendosur ndarje kohore dhe hapësinore bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Ministria e Jashtme e saj theksoi se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Jerusalemin e pushtuar lindor dhe vendet e shenjta myslimane e të krishtera atje, ndërsa përsëriti se i gjithë kompleksi Al-Aksa është vend adhurimi mysliman. Në të njëjtën linjë ishin edhe Katari dhe Arabia Saudite. Kuvajti gjithashtu e dënoi vizitën, duke e përshkruar si “shkelje të hapur” të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare dhe si një akt provokues.

Autoritetet kuvajtjane bënë thirrje për veprime ndërkombëtare për t’i dhënë fund shkeljeve dhe përsëritën mbështetjen për të drejtat palestineze, përfshirë krijimin e një shteti të pavarur palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Vizitat e grupeve izraelite në kompleks janë shtuar vitet e fundit, veçanërisht gjatë festave hebraike.