Bashkimi Evropian ka kërkuar që Serbia të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e saj drejt integrimit evropian, pas njoftimit se Beogradi bleu raketa balistike supersonike nga Kina. Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se kjo përfshin shmangien e varësive strategjike që nuk janë në përputhje me qëllimin evropian dhe se një rrugë e besueshme evropiane kërkon përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe mirëkuptim për sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranoi të enjten se vendi i tij ka blerë raketa CM-400 me fuqi të madhe shkatërruese nga Kina, duke shkaktuar shqetësime tek vendet fqinje. Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i dytë pas Pakistanit që zotëron këtë lloj rakete nga Kina dhe i vetmi vend në Evropë që i ka, ndërsa është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s. Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha se do t’i njoftojë edhe anëtarët e tjerë të NATO-s për këtë armatim, duke e cilësuar si një risi në arsenalin ushtarak të Serbisë.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, vuri në dukje se pretendimet e Serbisë se po armatoset për mbrojtje nuk qëndrojnë dhe se blerjet e armëve kineze tregojnë tendenca hegjemoniste ndaj vendeve fqinje. Ai shtoi se blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë për vite dhe nuk lidhen me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë, pasi asnjë vend fqinj nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues ndaj saj.