Një foto e një vajze dyshohet se është motivi i vrasjes së Youssef Abanoub, studentit 18-vjeçar me origjinë egjiptiane, i cili u ther me thikë brenda shkollës profesionale “Domenico Chiodo” në La Spezia.
Për krimin është arrestuar Zouhair Atif, 19 vjeç, me origjinë marokene, nxënës në të njëjtën shkollë.
“Doja ta vrisja. Ai nuk duhej t’i lejonte vetes të postonte një foto të tij dhe të dashurës sime në rrjetet sociale”, u shpreh autori.
Megjithatë, sipas raportimeve thuhet se sipas miqve dhe familjarëve të viktimës, Abanoub nuk ishte aktiv në rrjetet sociale dhe se fotografia në fjalë mund të ketë qenë një imazh shumë i vjetër, i bërë vite më parë.
Ndërkohë, xhaxhai i viktimës ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen e autorit të dyshuar brenda shkollës.
“Nuk ishte hera e parë që ai djalë kishte sjellë një thikë në klasë. Shokët e tij të klasës mund ta konfirmojnë këtë, të gjithë”, ka deklaruar ai. Sipas tij, kjo situatë kishte ndodhur të paktën katër herë më parë dhe duhej të ishte ndalur shumë më herët.
Xhaxhai i Abanoub shtoi se nuk e di nëse rasti ishte raportuar zyrtarisht tek drejtuesit e shkollës, por shprehu bindjen se ata nuk mund të mos kishin qenë në dijeni.
“Tani shpresoj që drejtësia të marrë rrugën e saj, përndryshe do të ketë edhe raste të tjera dhune me thikë”, u shpreh ai.
