Ish-kryeministri del para gjykatës për akuza të shumëfishta
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, mohoi akuzat për “lidhje intime” me një prostitutë në moshë të mitur, për të cilën është akuzuar. Duke folur në gjyqin e tij në Milano, Berlusconi tha se nuk ka pasur kurrë skena të “natyrës seksuale” në shtëpinë e tij.
Ai tha se shprehja bunga-bunga që u përdor për festat e seksit në fakt ka ardhur nga një shaka që ai e ka përmendur herë pas here. Duke iu referuar akuzës se ka abuzuar me pushtetin për të liruar vajzën me nofkën “Rubi, hajdutja e zemrave”, e cila ishte arrestuar nga policia, ai tha se nuk ka bërë kurrë presion mbi policinë.
Vajza, e cila është një kërcimtare e klubeve të natës nga Maroku me emrin Karima El-Mahrough, qe arrestuar e dyshuar për vjedhje. Berlusconi, 76 vjeç, akuzohet se ka paguar për të pasur marrëdhënie seksuale me El – Mahroug në vitin 2010, kur ajo ishte ende vetëm 17 vjeç.
Prokurorët thonë se ish-kryeministri ka pasur seks me vajzën e mitur në 13 raste. “Unë nuk kam pasur kurrë marrëdhënie intime me të”, tha Berlusconi. Edhe vetë vajza ka mohuar të ketë pasur seks me Kryeministrin dhe hedh poshtë akuzën se ka punuar si prostitutë.
Telefonata të shumta janë përgjuar dhe publikuar disa kohë më parë duke treguar se si rekrutoheshin vajza të vogla simpatike për festa të ndryshme në vilat e panumërta të Berlusconi-t.
Berlusconi pritet të thërrasë 78 dëshmitarë VIP që kanë marrë pjesë në festat e tij për të hedhur poshtë akuzën. Mes dëshmitarëve pritet të jenë edhe Cristiano Ronaldo i Real Madritit apo aktori George Clooney si dhe ylli i televizionit italian, Elisabetta Canalis.
Sipas prokurorisë, Berlusconi i kishte telefonuar policisë për të liruar Rubin e arrestuar nën dyshimin për vjedhje, se vajza duhej të lirohej pasi ishte mbesa e Hosni Mubarak. Berluconi thotë se nuk ka bërë presion mbi policinë dhe se e ka bërë telefonatën nga dëshira për të shmangur një “incident diplomatik”. “Unë thjesht po pyesja”, shtoi ai. Nëse shpallet fajtor, Berlusconi rrezikon të dënohet me deri në 15 vite burg.