Luigi Gianello dhe Martina Binotto janë prindërit e Francesco Gianello-s, i cili humbi jetën në moshën 14-vjeçare për shkak të një tumori, ku sot ata akuzohen për vrasje me dashje të djalit të tyre.
Sipas prokurorit Paolo Fietta, vdekja e të birit mund të jetë shkaktuar ose përshpejtuar nga vonesa e qëllimshme në diagnostikim dhe fillim të trajtimit mjekësor, për shkak të zgjedhjes së vetë prindërve për të ndjekur alternativa të paprovuara nga mjekësia.
Në vend të trajtimit onkologjik të rekomanduar nga mjekët, çifti iu besua një mjeku venecian të regjistruar dhe dy terapistëve që ndjekin doktrinën e njohur si teoria e Hamer-it.
Kjo teori, e shpikur nga ish-mjeku gjerman Geerd Hamer, hedh poshtë trajtimin tradicional të sëmundjeve dhe i sheh sëmundjet, përfshirë kancerin, si pasojë e një konflikti të pazgjidhur emocional që vetë organizmi mund ta tejkalojë në mënyrë natyrale.
Në një intervistë për Corriere della Sera, prindërit tregojnë historinë e tyre, duke rrëfyer dhimbjen, ndjesitë e fajit, por edhe arsyet që i shtynë të shmangin mjekësinë konvencionale.
“Kam dashur gjithmonë të kem një djalë dhe ta quaj Francesco, një emër që përçon force. Francesco lindi në shtëpi me ndihmën e një mamie. Ishte i dashuruar me natyrën, i pëlqente të ecte zbathur mes pemëve”, tregoi i ati.
Nëna, Martina Binotto, ndez një qiri para fotos së të birit dhe kujton një nga momentet e fundit të lumtura. “Kjo foto është bërë në Abazinë e Novacella-s. Po priste radhën për një aktivitet në pyll. E zgjodha këtë foto për varrin e tij, sepse dukej i qetë dhe i lumtur, ndryshe nga tjetra ku ishte i trishtuar”, tha ajo.
Simptomat e para të sëmundjes së djalit u shfaqen në dhjetor të vitit 2022 me dhimbje të forta në këmbë. Pas një rezonance magnetike në Spitalin Rizzoli të Bolognës, mjekët u kishin thënë familjarëve se djali mund të ketë një tumor ndërsa rekomanduan kryerjen e biopsisë dhe një PET, por procedurat anulohen.
“Na tha doktori që biopsia mund të përhapte sëmundjen, ndaj nuk duhej bërë. Na mbushi me frikë”, tregon Gianello.
Edhe pse mjekët nuk i aprovuan largimin e djalit nga spitali, prindërit e morrën përsipër vendimin dhe e transferuan atë në Padova, ku doktori, i njohur për përhapjen e ideve të Hamer-it, i sugjeron prindërve të kërkojnë “konfliktin emocional” që sipas tij kishte shkaktuar osteosarkomën e Francescos.
“Doktori thoshte se gjithçka lidhej me ndjesitë e pafuqisë të Francescos, përjashtimi nga ekipi i futbollit, një përplasje me një mësues, ose presioni im ndaj tij për shkollën”, kujton babai.
“Sipas tij, sëmundja ishte një simptomë e procesit të shërimit. Mjaftonte të zgjidhej konflikti, dhe organizmi do e rregullonte vetë”, shtoi ai.
Për kimioterapinë, doktori ishte i prerë, nuk duhet përdorur. Në vend të saj, rekomandoi argjilë, anti-inflamatorë, trajtime natyrore dhe ndryshim ambienti. Francesco nuk mori asnjë trajtim mjekësor zyrtar për disa javë.
Më pas, prindërit njohën dy terapistë të tjerë, të cilët i sugjeruan të largoheshin nga Italia, fillimisht në Egjipt, më pas në Valdibrucia, një komunitet alternativ në Toskanë që promovon “vetëshërimin emocional”.
“Në fillim nuk kuptuam që nuk ishte një qendër mjekësore. Dukej si një vend relaksues, me ushqim të shëndetshëm, diell dhe ushtrime fizike. Gruaja ime hoqi dorë nga puna për t’i qëndruar pranë Francescos. Por gjendja e djalit përkeqësohej me humbje shikimi, vështirësi në lëvizje, dhimbje të forta”, tregoi i ati.
Kur gjendja u bë e pashpresë, Francesco u dërgua në urgjencën e Perugias. Atje, pas hetimeve dhe analizave, djali iu nënshtrua radioterapisë dhe trajtimeve paliative.
“Në Perugia pamë më shumë përkujdesje dhe njerëzillëk”, thotë Martina. “Edhe pse ishin muajt e fundit, pati momente të bukura. Për ditëlindjen e Francescos, shokët dhe shoqet e shkollës steineriane i bënë një vizitë surprizë.Ishte i rritur. Ndryshe. Kishte pranuar të rruante kokën, diçka që dikur e refuzonte kategorikisht.”
Francesco përfundoi klasën e nëntë dhe ndoqi disa leksione të vitit të parë të gjimnazit.Më 5 tetor të dy viteve më parë, u kthye në shtëpi në Vicenza për trajtim paliativ dhe pas pak ditësh, ndërroi jetë.
Sot, peindërit shprehen të penduar për zgjedhjet e tyre.
“Nuk vepruam kurrë me qëllimin për t’i bërë keq djalit tonë. Por kur përballesh me këtë realitet, nuk mendon qartë. Në Bologna nuk morëm ndihmën psikologjike që na duhej”, than ata.
“Nëse dikush dëshiron të ndjekë metoda alternative, mos i aplikoni te fëmijët. Mund ta provoni për veten tuaj, por jo për ta. Nuk ka justifikim për këtë”, u shpreh e ëma.
Sot ata e kuptojnë rrezikun.“Sëmundjet janë të ndërlikuara. Askush nuk i njeh shkaqet me saktësi. E vetmja gjë që kemi mësuar është kjo: shko në spital. Edhe nëse do të ndjekësh teori të tjera, mos përjash to mjekësinë.”