Donald Trump ka deklaruar se i kërkoi kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të pranonte planin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të liruar pengjet e mbajtura nga Hamasi. Në një intervistë për Channel 12, presidenti amerikan tha se Izraeli dhe Hamasi janë më pranë se kurrë një marrëveshjeje.
Trump tregoi se të premten, përpara thirrjes së tij publike për ndalimin e sulmeve, pati një bisedë telefonike me Netanyahun. Fillimisht, kreu i qeverisë izraelite kishte shfaqur rezerva, por më pas pranoi të ecte përpara.
“I thashë: ‘Bibi, ky është shansi yt për të fituar’. Dhe ai ishte dakord. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Me mua, duhet të biesh dakord,” – u shpreh Trump.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë shumë afër përfundimit të një marrëveshjeje që do të sigurojë lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndalimin e luftimeve. “Jemi shumë afër, të gjitha vendet e mbështesin këtë plan”, theksoi ai.
Pauza në ofensivë dhe roli i ndërmjetësve
Pas ndërhyrjes së Trump, Netanyahu ka urdhëruar një pauzë në operacionet për marrjen e Qytetit të Gazës dhe një ndalim të sulmeve ajrore, për të përgatitur zbatimin e fazës së parë të planit amerikan. Paralelisht, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, po udhëtojnë drejt Egjiptit për të negociuar detajet teknike të lirimit të pengjeve dhe krijimin e një “plani paqeje afatgjatë”.
Trump përmendi gjithashtu presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, duke e cilësuar “shumë të dobishëm” në bindjen e Hamasit për të pranuar marrëveshjen.
“Erdogani është i ashpër, por është miku im – dhe ka qenë i shkëlqyer,” tha Trump.
Synimi: rivendosja e imazhit ndërkombëtar të Izraelit
Në fund, Trump theksoi se një nga arsyet kryesore për t’i dhënë fund luftës është rikthimi i mbështetjes ndërkombëtare për Izraelin, të cilën, sipas tij, Tel Avivi e ka humbur për shkak të ofensivës së ashpër.