Presidenti i SHBA Joe Biden pritet t’i thotë presidentit kinez Xi Jinping të premten se Pekini do të paguajë një çmim të lartë nëse mbështet operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, një paralajmërim që vjen në një kohë të thellimit të ashpërsisë midis kombeve, raporton Reuters.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez Xi Jinping po zhvillojnë sot një bisedë telefonike ndërsa Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Pekinin se ofrimi i ndihmës ushtarake, ose ekonomike për Moskës që lidhen me sulmin ndaj Ukrainës, do të përballej me pasoja të ashpra nga Uashingtoni.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të ngrejë në bisedën me zotin Xi çështjen e retorikës mbështetëse të Pekinit ndaj Presidentit Putin dhe mbi mos dënimin e sulmit brutal ndaj Ukrainës.

“Biseda është një mundësi për të vlerësuar se cili është pozicioni i Presidentit Xi”, tha zonja Psaki.

Të premten Kina nënvizoi sërish thirrjet e saj për negociata dhe ndihmë humanitare, ndërkohë që akuzoi SHBA-të për provokimin e Rusisë dhe nxitjen e konfliktit duke dërguar armë në Ukrainë.

Në ditët pasi Presidenti Putin dislokoi forcat ushtarake ruse në Ukrainë, qeveria e zotit Xi u përpoq të distancohej nga ofensiva e Rusisë, por i shmangu kritikat ndaj Moskës.

Në raste të tjera, veprimet e Pekinit kanë qenë provokuese dhe kanë përforcuar pretendimet e pafaktuara të Rusisë se me mbështetjen e SHBA-ve, Ukraina, drejtonte laboratorë me armë kimike dhe biologjike.

Në fillim të kësaj jave Uashingtoni informoi aleatët aziatikë dhe evropianë se zbulimi amerikan kishte të dhëna se Pekini kishte sinjalizuar Rusisë se ishte i gatshëm për t’i ofruar mbështetje ushtarake për fushatën e saj në Ukrainë, si dhe mbështetje financiare për të ndihmuar në shmangien e ndikimit të sanksioneve të rënda të vendosura nga Perëndimi.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti të enjten se administrata Biden mbetet e shqetësuar se Kina po shqyrton mundësinë për të ofruar pajisje ushtarake për Rusinë.

Ai tha se Presidenti Biden do t’ia bënte të qartë Presidentit Xi se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr për të mbështetur agresionin e Rusisë dhe se Uashingtoni nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime që do të kishin pasoja ndaj këtij vendi.

Qendrimi i Kinës

Gjatë një bisedë me homologun e tij amerikan, Joe Biden në lidhje me krizën në Ukrainë, Xi tha se konflikti nuk është në interesin e askujt dhe se  marrëdhënia mes Kinës dhe SHBA-së duhet të jetë e qëndrueshme, sipas la Repubblica.

“Kriza në Ukrainë është diçka që askush nuk e dëshiron. Këto ngjarje po na tregojnë edhe një herë se marrëdhëniet midis shteteve nuk duhet të arrijnë deri në pikën e konfrontimit ushtarak”.

Konflikti dhe konfrontimi nuk janë në interesin e askujt”, tha presidenti kinez, duke shtuar se “paqja dhe siguria janë thesaret më të mëdha, thesaret e komunitetit ndërkombëtar”.