Një grabitje e pazakontë në Britaninë e Madhe është shndërruar në një nga episodet më të komentuarat ditët e fundit, pasi autori i saj u filmua duke rënë disa herë nga tavani i një pike karburanti gjatë përpjekjes për t’u arratisur. Ngjarja ka ndodhur në qarkun Durham, ku 50 vjeçari Andrew Pickering kishte hyrë në ambientet e një pike karburanti së bashku me një bashkëpunëtor. Ai kishte zgjedhur të hynte nga tavani përmes një hapësire në pjesën e pasme të godinës, por tentativa për t’u larguar përfundoi në mënyrë komike dhe fatale për të.
Pamjet e publikuara nga kamerat e sigurisë tregojnë Pickering duke u rrëzuar fillimisht nga tavani, ndërsa përpiqej të përdorte një shkallë për t’u ngjitur sërish. Përpjekjet e përsëritura për t’u larguar rezultuan në disa rrëzime të njëpasnjëshme.
Në një moment tjetër, ai shihet duke rënë mbi arkat e birrës dhe më pas mbi banakun e arkës, ndërsa përpiqej të gjente një dalje. Edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia, Pickering u shfaq i hutuar, duke rrëzuar një gotë me ujë, detaj që u bë pjesë e videos së publikuar nga autoritetet.
Policia bëri të ditur se gjurmët e gjakut të lëna në ambientet e dyqanit ndihmuan në identifikimin e autorit përmes ADN-së. Si pasojë, Andrew Pickering u shpall fajtor për dy akuza grabitjeje dhe u dënua me 12 muaj burg nga gjykata e Newton Aycliffe.
Bashkëpunëtori i tij, 46 vjeçari Daniel Reay, u dënua me shërbim prove. Sipas autoriteteve, grabitja ka shkaktuar dëme dhe humbje që kapin vlerën mbi 3 mijë paund.



