Një operacion i gjerë i autoriteteve turke kundër trafikut të drogës dhe aktiviteteve të paligjshme ka çuar në ndalimin e dhjetëra personave në Stamboll, ndërsa mes emrave të përfolur në media ndodhet edhe aktorja e njohur turke Beren Saat.
Sipas informacioneve të publikuara nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit, gjatë aksionit janë arrestuar 22 persona, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim. Hetimet lidhen me dyshime për përfshirje në veprimtari që kanë të bëjnë me narkotikët dhe prostitucionin.
Mediat turke raportojnë se mes të ndaluarve ka edhe figura të njohura të botës së artit dhe argëtimit, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkallën e përfshirjes së secilit person në hetim.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa banesa dhe ambiente të tjera, forcat e antidrogës kanë sekuestruar lëndë narkotike dhe materiale që dyshohet se lidhen me trafikimin dhe shpërndarjen e tyre.
Autoritetet turke bëjnë me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar kriminal.
