Temperaturat e larta shkaktuan 1.180 vdekje në Spanjë gjatë dy muajve të fundit, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, shumica dërrmuese e njerëzve që humbën jetën ishin mbi 65 vjeç dhe më shumë se gjysma ishin gra.
Rajonet më të prekura ishin Galicia, La Rioja, Asturias dhe Cantabria, të gjitha të vendosura në gjysmën veriore të vendit, ku temperaturat zakonisht më të freskëta të verës kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit.
“Të dhënat tregojnë për një ngjarje me intensitet të jashtëzakonshëm, e karakterizuar nga një rritje e paprecedentë e temperaturave mesatare dhe një shtim i ndjeshëm i vdekjeve të shkaktuara nga valët e të nxehtit”, tha Ministria.
Gjatë kësaj periudhe kishte 76 alarme të kuqe për të nxehtë ekstrem, ndërkohë që një vit më parë nuk kishte asnjë. Verën e kaluar, 2.191 njerëz humbën jetën në Spanjë si pasojë e shkaqeve të lidhura me të nxehtin, sipas të dhënave nga Instituti Shëndetësor Carlos III.
Të dhënat nga Spanja pasojnë një analizë të shpejtë shkencore të publikuar më 9 korrik, e cila thotë se rreth 2.300 persona vdiqën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin në 12 qytete evropiane gjatë një vale të rëndë të të nxehtit brenda 10 ditëve, deri më 2 korrik.


