Bill Gates ka pranuar se ka gabuar në lidhjen e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, gjatë një takimi të brendshëm me stafin e fondacionit të tij bamirës.

Sipas një deklarate të Fondacioni Gates, Gates “foli hapur” dhe iu përgjigj në detaje pyetjeve të punonjësve, përfshirë ato mbi dokumentet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në janar. Ai mësohet të ketë kërkuar falje, duke theksuar se nuk kishte kryer asgjë të paligjshme dhe se nuk kishte parë veprime të paligjshme gjatë kontakteve me Epstein.

Gates e cilësoi si “gabim të madh” faktin që kishte qëndruar në shoqërinë e Epstein, por këmbënguli se nuk kishte pasur kontakte me viktimat e tij dhe se nuk kishte qëndruar asnjëherë në ishullin privat të financierit. Ai tha se takimet kishin nisur në vitin 2011 dhe kishin vazhduar deri në vitin 2014, edhe pse ishte në dijeni të problemeve ligjore të mëparshme të Epstein.

Sipas raportimeve të The Wall Street Journal, Gates u ka thënë punonjësve se disa fotografi të publikuara ishin realizuar me kërkesë të Epstein pas takimeve të tyre. Ai shtoi se vazhdoi kontaktet edhe pse ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, kishte shprehur dyshime për këtë marrëdhënie.

Fondacioni theksoi se takimi ishte pjesë e diskutimeve periodike me stafin, ku u trajtuan edhe çështje të tjera si inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e shëndetit global.

Bill dhe Melinda French Gates u divorcuan në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë. Në intervista të mëvonshme, Melinda ka pranuar se lidhja e ish-bashkëshortit të saj me Epstein ishte një nga periudhat më të vështira në martesën e tyre.