Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se bisedimet e reja me Iranin do të nisin të hënën, pasi vendosi të anulojë sulmet ushtarake që, sipas tij, ishin planifikuar ndaj Teheranit.
Trump tha se palët do të zhvillojnë negociata për të arritur një marrëveshje dhe se takimet do të nisin të hënën pasdite.
“Po flasim me ta në formën e një negociate. Fillon nesër pasdite”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.
Sipas Trump, disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, i kërkuan të mos ndërmerrte sulmin, pasi besojnë se ekziston mundësia për një marrëveshje.
Teherani ende nuk ka konfirmuar nisjen e bisedimeve dhe ka kundërshtuar deklaratat e Trump. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Mehr” deklaroi se pretendimi se Irani i kishte kërkuar SHBA-së të ndalte veprimet ushtarake ishte i pavërtetë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se negociatat me Omanin për një marrëveshje mbi Ngushticën e Hormuzit janë duke përparuar.
Njoftimi për rikthimin e negociatave ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës ranë në bursat aziatike, pasi investitorët panë mundësinë e një uljeje të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë, pasi rreth 20% e naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon përmes saj.
Presidenti ameirkan nuk dha një afat për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, por theksoi se SHBA mbetet e gatshme për veprim ushtarak nëse negociatat dështojnë. “Jemi gati të veprojmë kurdo që të duam. Nuk po kërkoj të vras njerëz”, tha ai.
Më herët, presidenti amerikan kishte paralajmëruar se një sulm ndaj Iranit do të ishte një nga operacionet më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, ai tha se vendimi për të mos sulmuar ishte marrë për t’i dhënë një mundësi diplomacisë dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Deri tani nuk është bërë e ditur vendi ku do të zhvillohen bisedimet dhe cilët do të jenë përfaqësuesit e palëve. Ndërsa Uashingtoni kërkon një marrëveshje të negociuar, Irani vijon të paralajmërojë se do të reagojë ndaj çdo kërcënimi ushtarak.
