I dërguari i Bordit të Paqes për tranzicionin e Gazës, Nikolay Mladenov, ka zhvilluar një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku në fokus ka qenë zbatimi i marrëveshjes së re për të ardhmen e territorit palestinez.
Bordi i Paqes i cilësoi diskutimet si konstruktive dhe të detajuara, duke theksuar se objektivi kryesor i planit është çarmatimi i plotë i Hamasit dhe kalimi i Rripit të Gazës drejt një administrimi civil.
Gjatë takimit, Mladenov i kërkoi Netanyahut ndërprerjen e sulmeve izraelite, me qëllim që të mos dëmtohet procesi i zbatimit të marrëveshjes.
Plani, i prezantuar nga presidenti amerikan Donald Trump, parashikon ndalimin e operacioneve ushtarake nga Izraeli dhe ndërprerjen e veprimeve të armatosura nga Hamasi dhe grupet e tjera aleate.
Hamasi ka deklaruar se mbështet zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit, por ka kërkuar garanci dhe një qëndrim zyrtar nga ndërmjetësit për detyrimet që duhet të përmbushë secila palë.
Nga ana tjetër, Izraeli ka shprehur shqetësime për sigurinë dhe ka theksuar se tërheqja nga Gaza nuk mund të nisë pa u realizuar më parë çarmatimi i plotë i Hamasit.
Tensionet në terren vijojnë të mbeten të larta pas sulmeve të fundit izraelite, të cilat, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, shkaktuan 17 viktima gjatë fundjavës. Egjipti, Katari dhe Turqia, të përfshira si ndërmjetëse në negociata, kanë dënuar goditjet dhe kanë bërë thirrje për respektimin e armëpushimit.
Konflikti nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1 200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ofensiva izraelite që pasoi ka shkaktuar mijëra viktima.
