Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka reaguar ditën e sotme pas raportimeve se takimi mes dy homologëve të tij, Donald Trump dhe Vladimir Putin do të zhvillohet në Anchorage. Zelenskyy është shprehur se një takim i tillë në Alaskë është një fitore për Kremlinin.
“Së pari, ai do të ketë një takim në tokën amerikane, që mendoj se është një fitore personale për të”, tha Zelenskyy. Ai shtoi se takimi e nxjerr presidentin rus nga izolimi i tij dhe se kjo mundëson vonimin e sanksioneve të mundshme të SHBA-së kundër Moskës.
Ai përjashtoi çdo tërheqje të forcave ukrainase nga Donbasi për t’i dhënë fund luftës me Moskën, përpara samitit midis Putinit dhe Donald Trump. Zelenskyy shtoi se nëse ky territor bie nën kontrollin e Moskës, ai do t’i shërbejë Kremlinit si një trampolinë për një sulm të ardhshëm kundër Ukrainës.
Sipas tij grupe ushtarësh rusë kanë përparuar rreth 10 km në disa sektorë të frontit në Ukrainën lindore ndërsa shtoi se këto njësi do të shkatërrohen. Ai tha se disa u shkatërruan, të tjerat u kapën. Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se Moska po përgatit operacione të reja ofensive në tre sektorë të frontit Zaporizhia, Pokrovsk dhe Novopavlivka.
