Bitcoin ka shënuar një rritje të re gjatë orëve të para të së enjtes, duke kaluar sërish pragun e 60 mijë dollarëve, pas humbjeve të konsiderueshme që pësoi një ditë më parë në tregjet e aseteve dixhitale.

Kriptomonedha më e madhe në botë u rrit me 2.7% brenda 24 orëve, duke arritur në kuotën e 60,579 dollarëve në orën 06:33 GMT. Me këtë ecuri, kapitalizimi i saj i tregut shkoi në rreth 1.2 trilion dollarë.

Sipas analistëve, rikuperimi u ndikua kryesisht nga mbyllja e pozicioneve short. Bëhet fjalë për tregtarë që kishin parashikuar një rënie të mëtejshme të çmimit dhe që blenë për të kufizuar humbjet pas zhvlerësimit të së mërkurës.

Edhe Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe për nga kapitalizimi i tregut, regjistroi rritje. Ajo u shtrenjtua me 2.03%, duke u tregtuar në 1,688 dollarë.

Ndërkohë, tregu global i kriptomonedhave shënoi një rritje prej 2.2%, duke arritur një vlerë totale prej 2.07 trilionë dollarësh.

Megjithatë, pavarësisht rikuperimit, ekspertët vlerësojnë se kërkesa në treg vijon të jetë e dobët. Një nga faktorët shqetësues mbeten daljet e vazhdueshme të kapitalit gjatë muajit nëntor nga fondet amerikane të investimit të lidhura me Bitcoin.