Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaroi se vendi i tij nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në luftën në Ukraine, pas paralajmërimeve të bëra nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për një sulm të mundshëm rus nga territori bjellorus.

Megjithatë, Lukashenko theksoi se Russia dhe Bjellorusia do të mbrohen së bashku në rast agresioni, ndërsa dy vendet po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta bërthamore.

Komentet e liderit bjellorus u publikuan nga agjencia shtetërore BELTA. Ai shtoi gjithashtu se është i gatshëm të takohet me Zelenskyn për të diskutuar situatën.

“Jam i gatshëm të takohem dhe të diskutojmë problemet, nëse ai dëshiron të flasë”, deklaroi Alexander Lukashenko.

Pak ditë më parë, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Moska po përpiqet ta tërheqë Bjellorusinë më thellë në konflikt dhe po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj veriut të Ukrainës ose edhe ndaj vendeve të NATO nga territori bjellorus.

Alexander Lukashenko, një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin, lejoi përdorimin e territorit bjellorus gjatë nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, megjithëse Bjellorusia nuk ka dërguar trupa të saj në front.

Që prej asaj kohe, Minsku ka pranuar vendosjen e armëve taktike bërthamore ruse dhe raketave hipersonike në territorin e tij.

Kjo është një tjetër përpjekje e Lukashenkos për dialog me Kievin, ndërsa më herët Volodymyr Zelensky e ka cilësuar Bjellorusinë bashkëpunëtore në agresionin rus ndaj Ukrainës.