Energjia elektrike është rikthyer në 99% në Spanjën kontinentale pas ndërprerjes së energjisë elektrike që goditi Gadishullin Iberik një ditë më parë.
Deri në orën 6 të mëngjesit sipas kohës lokale, 99.16% e furnizimit me energji elektrike ishte siguruar, me prodhim prej 21.26 megavatësh (MW), raportoi operatori spanjoll i rrjetit elektrik REE.
Qarkullimi hekurudhor rifilloi normalisht këtë mëngjes në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht nga Madridi në Barcelonë, Valencia, Murcia, Alicante dhe Vendin Bask. Shërbimet tregtare hekurudhore u rikthyen sot në funksionimin normal duke përshkruar rrugë nga Madridi në Barcelonë, Valencia, Murcia, Alicante, Vendin Bask dhe Algeciras.
Rrjeti i metrosë së Madridit mbetet i mbyllur ndërsa vazhdojnë punimet për të rikthyer shërbimin. Siç është njoftuar në llogaritë zyrtare të metrosë në rrjetet sociale, të gjitha linjat mbeten jashtë funksionit, ndaj Metro e Madridit rekomandon përdorimin e autobusëve. Metroja gjithashtu kujton se autobusët urbanë të EMT-së dhe autobusët ndërurbanë të operuar nga Konsorciumi Rajonal i Transportit do të jenë falas gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë Mbreti Felipe VI do të mbajë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare sot në Pallatin Moncloa, selinë e qeverisë, për të shqyrtuar situatën pas ndërprerjes së energjisë elektrike, sipas mediave spanjolle.
Vendimi u mor në bashkëpunim me kryeministrin Pedro Sanchez, njoftuan burime nga Shtëpia Mbretërore. Është hera e parë që monarku kryeson një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Moncloa.


