Një grua jazidi, e cila u shit si skllave seksi në moshën 12 vjeç, ka rrëfyer tmerret që kaloi teksa ndodhej në duart e militantëve të ISIS.
20-vjeçarja, e cila konsiderohet viktimë në të ashtuquajturin gjyq për komunitetin jazidi dha dëshmi para Gjykatës së Lartë Rajonale në Mynih. Një çift irakian, të dyshuar se kanë qenë anëtarë të organizatës terroriste Shteti Islamik, akuzohen për blerjen, shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të dy vajzave jazidi si skllave. Dëshmitarja kujtoi momentin kur i pandehuri mashkull vendosi ta blinte kur ajo ishte vetëm 12 vjeç.
“Para se të më blinte, më pa si isha… më hoqi shaminë, më pa flokët dhe fytyrën. Anëtarët e ISIS-it më tallnin duke i thënë atij: ‘Blije, ajo nuk është përdhunuar ende.’ Në atë kohë, unë isha vetëm një fëmijë.”- tregoi vajza mes lotësh.
Sipas hetimit të prokurorit federal, vajza është abuzuar seksualisht disa herë.
“Ditën e parë ai mori një shkop dhe më rrahu në shputat e këmbëve, pastaj më detyroi të flija me të. Më tha ‘Ose do të të përdhunoj, ose do të të rrah këshu’. Në atë moment do të doja të kisha vdekur’. Gjatë përdhunimeve ai luante muzikë të ISIS-it. Ai më bëri të ndihesha si e pafe dhe se Zoti e kishte dashur këtë”- tregoi ajo.
Nën hetim është dhe partnerja e burrit për të cilin foli vajza. Ajo dyshohet se i ka aplikuar grim fëmijës para marrëdhënies seksuale. I pandehuri kishte jetuar më parë në Mynih për më shumë se dhjetë vjet si azilkërkues përpara se të radikalizohej në një xhami islamiste dhe të udhëtonte për në Irak në vitin 2015 për t’u bashkuar me ISIS-in.
Jazidët, një pakicë që flet gjuhën kurde, u persekutuan nga ISIS pasi grupi xhihadist pushtoi sipërfaqe të mëdha territori në Siri dhe Irak duke filluar nga viti 2014. Mijëra burra u vranë dhe gra e fëmijë u skllavëruan dhe u përdhunuan kur luftëtarët e ISIS-it sulmuan Irakun verior.


