Aleatët e NATO-s kanë sinjalizuar se nuk do të marrin pjesë në planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për vendosjen e një bllokade në Ngushticën e Hormuzit, duke preferuar një qasje të kufizuar që parashikon ndërhyrje vetëm pas përfundimit të konfliktit. Ky qëndrim pritet të rrisë tensionet mes Uashingtonit dhe partnerëve evropianë.
Deklarata vjen pasi Trump njoftoi se ushtria amerikane do të bashkëpunojë me vende të tjera për të kontrolluar trafikun detar në këtë korridor strategjik, pas dështimit të negociatave të fundit mes SHBA-së dhe Iranit. Më pas, Pentagoni sqaroi se masa do të synojë kryesisht anijet që kanë destinacion ose origjinë portet iraniane.
Që prej shpërthimit të konfliktit më 28 shkurt, Irani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen në Ngushticë, duke lejuar kryesisht vetëm mjetet e veta detare. Teherani synon ta konsolidojë këtë kontroll dhe të vendosë tarifa për kalimin e anijeve, në një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimin global me naftë.
“Bllokada do të nisë së shpejti dhe do të ketë mbështetje ndërkombëtare”, deklaroi Trump në platformën e tij Truth Social. Megjithatë, vende kyçe të NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Francën, kanë refuzuar të përfshihen në një operacion të tillë.
Kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se Londra nuk do të marrë pjesë në veprime që lidhen drejtpërdrejt me konfliktin. “Ne nuk e mbështesim bllokadën dhe nuk do të përfshihemi në luftë, pavarësisht presioneve”, u shpreh ai për BBC.
Në vend të kësaj, vendet evropiane po punojnë për një iniciativë të përbashkët që synon garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticë, përmes një misioni shumëkombësh mbrojtës. Ky plan parashikon shoqërimin e cisternave dhe koordinimin e flotave detare, por vetëm pasi të ketë një armëpushim të qëndrueshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë të ditur se aleanca mund të ndërhyjë nëse të 32 vendet anëtare bien dakord për krijimin e një misioni të përbashkët.
Nga ana tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar organizimin e një konference me partnerët evropianë për të koordinuar këtë nismë. Sipas tij, misioni do të ketë karakter strikt mbrojtës dhe nuk do të përfshihet në operacione luftarake.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se një takim për konkretizimin e planit mund të zhvillohet së shpejti në Paris ose Londër, me pjesëmarrjen e rreth 30 vendeve. Sipas tyre, prania e anijeve luftarake do të synojë krijimin e një klime sigurie për transportin detar, pa u bërë pjesë e përplasjeve ushtarake.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të reagojë Uashingtoni ndaj kësaj nisme, duke qenë se administrata Trump e konsideron kontrollin mbi Ngushticën si një instrument presioni strategjik ndaj Iranit.
