Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje për ngrirjen e aseteve ruse që janë të akumuluara në vlerë 210 miliardë euro, si një hap për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Bundestag mbi zhvillimet e vitit 2025, Merz ka theksuar se situata gjeopolitike ka qenë jashtëzakonisht e trazuar, duke përmendur ndryshimet rrënjësore në marrëdhëniet e Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe sfidat e vazhdueshme që ka krijuar lufta e paligjshme agresore e Rusisë në Ukrainë.
Ai ka shpjeguar se luftrat tregtare dhe tensionet gjeopolitike kanë rënduar ekonominë gjermane, e cila po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të “mosmarrjes së masave në të kaluarën”. Merz ka shprehur shqetësim të thellë për pasojat që ka pasur kjo situatë në stabilitetin ekonomik dhe politik të Gjermanisë dhe rajonit të gjerë, duke theksuar se ka një rrezik real që rendi botëror të zëvendësohet nga çrregullimi dhe paqëndrueshmëria.
Në këtë kontekst, ai ka propozuar ngrirjen e aseteve ruse si një masë për të shtruar presion mbi regjimin e Vladimir Putinit dhe për të ndihmuar në përmbylljen e konfliktit në Ukrainë. Kjo propozim ka marrë mbështetje nga disa grupe të ndryshme politike, megjithatë ka hasur gjithashtu kundërshtime, pasi shumë mund të shohin këtë si një hap që mund të shkaktojë tensione të mëtejshme ndërkombëtare.
“Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të kundrojmë teksa bota riorganizohet. Nuk jemi top loje i superfuqive. Çështja me Ukrainën është sesi të arrihet një paqe e drejtë. Asetet ruse të ngrira në bankat europiane duhet të përdoren për këtë qëllim. Në këtë mënyrë, ne i dërgojmë një sinjal të qartë Rusisë se do t’i përdorim asetet e depozituara këtu për të ndihmuar për përfundimin e kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur.”, shprehet Merz.
Shumica e 27 qeverive të BE-së e mbështesin përdorimin e afro 210 miliardë eurove të aseteve ruse të bllokuara në BE për të ofruar gjatë viteve të ardhshme ndihmë financiare për Ukrainën si për të mbështetur rindërtimin e vendit edhe për blerjen e armëve moderne për ushtrinë ukrainase. Një lëvizje e tillë megjithatë ka hasur në kundërshtimin e Hungarisë dhe të Sllovakisë. Asetet e ngrira janë fonde financiare ose prona që pronari nuk mund t’i aksesojë dhe nuk mund t’i përdorë për ndonjë transaksion ose transferim, për shkak të kufizimeve të vendosura nga një qeveri – ose bllok shtetesh, si BE-ja.
Në rastin e Rusisë janë ngrirë si asetete saj shtetërore në formën e parave kesh, obligacioneve dhe letrave me vlerë të mbajtura jashtë vendit ashtu edhe asetet private si jahte dhe pasuri të paluajtshme në pronësi të miliarderëve të sanksionuar rusë.
