Policia greke ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për një atentat me eksploziv ndaj vilës së një biznesmeni greko-amerikan në Lefkada, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti.
Sipas hetimeve, autorët kishin vendosur rreth 10 kilogramë dinamit xhelatinoz në ballkonin e pasmë të banesës, me qëllim shpërthimin e saj. Pajisja u zbulua nga kujdestari i vilës, duke parandaluar një ngjarje potencialisht tragjike.
Hetimi i Policisë greke çoi deri në burgun e Malandrinos, ku dyshohet se janë dhënë urdhrat për organizimin e sulmit. Sipas dosjes hetimore, dy të burgosur, një shqiptar dhe një grek, dyshohet se kanë udhëzuar gjashtë bashkëpunëtorë jashtë burgut për të realizuar atentatin.
Si persona të dyshuar për dhënien e urdhrit janë identifikuar 46-vjeçari shqiptar Mikel Selimaj, nga Vlora, dhe 31-vjeçari grek Evstratios Nousis.
Selimaj ndodhet në burg që prej majit 2025, pasi akuzohet për vrasjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Altin Arapaj në Rafina. Ai ka edhe precedentë të mëparshëm për drogë, vjedhje dhe grabitje.
Ndërsa Nousis ndodhet prej më shumë se një dekade në qeli për çështje të mëparshme penale. Sipas dosjes, në janar të këtij viti ai dyshohet se ka plagosur brenda burgut një 46-vjeçar nga Gjirokastra, i cili akuzohet për vrasje me pagesë.
Sipas Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje (DAOE), gjashtë personat jashtë burgut akuzohen për formimin e një bande kriminale, si dhe për shkelje të legjislacionit mbi armët dhe eksplozivët.
Ndërkohë, dy të burgosurit dyshohet se kanë luajtur rolin e nxitësve dhe organizatorëve të sulmit, duke e drejtuar atë nga qelitë e burgut.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e atentatit dhe lidhjet mes personave të përfshirë në skemë.
