Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi se centrali bërthamor i Bushehrit në jug të Iranit, u godit nga një raketë dje, duke mos shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe as të lënduar.
Agjencia e OKB-së me seli në Vjenë “u informua nga Irani se një raketë goditi objektet e centralit bërthamor të Bushehrit. Nuk pati dëme në central apo të lënduar midis personelit”, tha IAEA në një postim në X.
Drejtori i Përgjithshëm, Rafael Grossi, “përsërit thirrjen për përmbajtje gjatë luftës për të shmangur çdo rrezik të një aksidenti bërthamor”.
Rusia, nga ana e saj, denoncoi “një sulm të papërgjegjshëm dhe plotësisht të papranueshëm në perimetrin e brendshëm të stacionit vetëm pak metra nga njësia operative”.
Stacioni i Bushehrit është i projektuar dhe ndërtuar nga rusët dhe specialistë rusë janë të punësuar në të.
“Ne i kemi paralajmëruar vazhdimisht Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se është kategorikisht e papranueshme të rrezikohet jeta dhe shëndeti i një numri të madh qytetarësh rusë në stacion”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo u bëri thirrje të dy vendeve të shmangin sulmet që mund të shkaktojnë katastrofa radiologjike ose ekologjike në nivel rajonal.
Centrali i Bushehrit, i vetmi në veprim në Iran, ka një kapacitet prodhimi prej 1,000 megavatësh, që është një pjesë e vogël e nevojave të vendit për energji elektrike.


