Ministria e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës i ka dërguar të premten notë proteste Hungarisë pasi ministri i saj i Jashtëm, Peter Szijjarto, e cilësoi Millorad Dodikun si president të Republikës Sërpska gjatë një takimi në Budapest, pavarësisht se gjykata ia ka hequr mandatin atij.
Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e Dodikut nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës ia hoqi mandatin atij dhe shpalli zgjedhje të parakohshme në entitetin serb të Bosnjës për 23 nëntor.
Dodik nuk i ka pranuar këto vendime dhe Kuvendi i entitetit serb thirri referendum për mosnjohjen e vendimeve të institucioneve shtetërore, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka vendosur tashmë që entitetet nuk kanë të drejtë të mbajnë referendume të tilla.
Gjatë takimit të enjten në Budapest, Szijjarto e quajti Dodikun president të entitetit serb, duke thënë se Hungaria respekton “vullnetin e votuesve” dhe tha se “as Brukseli dhe as të tjerët nuk duhet ta përcaktojnë të ardhmen” e Republikës Sërpska.