Bota i jep sot lamtumirën e fundit Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta në Romë, më 21 Prill, në moshën 88-vjeçare.

Arkivoli me trupin e pajetë të Papës mbërriti rreth orës 13:00 në bazilikën Santa Maria Maggiore, vendi ku edhe Ati i Shenjtë do të prehet. Kur makina papale mbërriti me arkivolin, shumë njerëz bërtisnin nga sheshi: “Rroftë Françesku, rroftë Françesku” dhe duartrokisnin.

Momenti i varrimit të Papës do të jetë privat për t’i dhënë mundësi njerëzve më të afërt të tij për t’i bërë nderimet e fundit. Riti për varrimin e Atit të Shenjtë filloi rreth orës 10:00 ndërsa ranë këmbanat në sheshin e Shën Pjetrit.

Arkivoli me trupin e pajetë të Papa Françeskut u vendos në sheshin e Shën Pjetrit teksa besimtarët duartrokitën. Pas homazheve, arkivoli i Papa Françeskut është kthyer në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa kambanat filluan të binin sërish.

Makina papale që mbante arkivolin doli nga Vatikani dhe ndoqi intinerarin: Udhëtoi në Galleria Pasa, më pas përgjatë Corso Vittorio, Piazza Venezia, Via dei Fori Imperiali, Via Labicana dhe mbërriti në Bazilikën e Santa Maria Maggiore nga Via Merulana, ku do të prehet Ati i Shenjtë.

Ndërkohë mijëra besimtarë ishin mbledhur pas barrierave të vendosura përgjatë rrugës gjashtë kilometrash ku do të kalojë kortezhi i varrimit me arkivolin e Papa Françeskut. 100 mijë njerëz raportohet se ndodhen në Via della Conciliazione. Të paktën 160 delegacione të krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota kanë mbërritur në Vatikan.