Një nga mënyrat më të njohura për të paraqitur hartën e botës mund të vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, pas një votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në votim, 164 shtete u shprehën në favor të rezolutës që promovon përdorimin e projeksioneve hartografike të afta për të pasqyruar më mirë përmasat reale të sipërfaqeve të Tokës. Shtetet e Bashkuara votuan kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan.

Debati lidhet kryesisht me projeksionin Mercator, një sistem hartografik i përdorur prej shekujsh dhe ende shumë i përhapur. Problemi kryesor i tij është se sipërfaqet shtrembërohen gjithnjë e më shumë sa më pranë poleve ndodhen.

Një shembull i qartë është Groenlanda. Në një hartë Mercator, ajo mund të duket në përmasa të ngjashme me Afrikën. Në realitet, kontinenti afrikan ka një sipërfaqe rreth 14 herë më të madhe se Groenlanda.

Për këtë arsye, projeksione si ai i Tokës së Barabartë po marrin më shumë vëmendje. Ato përpiqen të ruajnë raportet reale të sipërfaqeve, duke e paraqitur Afrikën dhe kontinentet e tjera në përmasa shumë më të afërta me realitetin.

Megjithatë, vendimi i OKB-së nuk do të thotë se hartat tradicionale do të zhduken apo do të zëvendësohen menjëherë. Rezoluta nuk është juridikisht detyruese dhe synon kryesisht të nxisë një paraqitje më të drejtë vizuale të planetit.

Ndryshimi lidhet me mënyrën se si njerëzit e perceptojnë madhësinë dhe formën e kontinenteve dhe jo me hartat që përdoren për navigim. Debati nxjerr në pah një fakt të rëndësishëm: çdo hartë e sheshtë e Tokës duhet të bëjë kompromise, ndaj zgjedhja e projeksionit mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si e shohim botën.