“Bota nuk shpëtohet duke mprehur shpatat, duke gjykuar, duke shtypur ose duke eliminuar vëllezërit tanë.” Kështu deklaroi Papa Leone XIV në Meshën e parë të Vitit të Ri, të mbajtur në Bazilikën e Vatikanit, ku kryesoi kremtimin e Meshës në Solemnitetin e Marisë Më të Shenjtë, Nënës së Zotit, dhe me rastin e Ditës së 59-të Botërore të Paqes.

Tema e këtij viti është “Paqja qoftë me ju të gjithë. Drejt një paqeje të paarmatosur”. Papa bëri një thirrje të fortë për paqe, duke theksuar se dhuna, gjykimi dhe shtypja nuk mund ta shpëtojnë botën, ndërsa përdori të njëjtat fjalë si në ditën e inaugurimit të tij.

“Në këtë festë solemne, në fillim të vitit të ri, ndërsa i afrohemi përfundimit të Jubileut të Shpresës, le t’i qasemi skenës së Lindjes me besim si vendi i paqes “së çarmatosur dhe çarmatosur” par excellence, një vend bekimi, ku mund të kujtojmë mrekullitë që Zoti ka kryer në historinë e shpëtimit dhe në jetën tonë, dhe pastaj të nisemi përsëri, si dëshmitarët e përulur në shpellë, duke lavdëruar Perëndinë për gjithçka që kemi parë dhe dëgjuar.  Le të jetë kjo angazhimi ynë, vendimi ynë për muajt që vijnë dhe gjithmonë për jetën tonë të krishterë”, u shpreh Ati i Shenjtë.

Papa përshëndeti dhe vlerësoi nismat e shumta për paqe të organizuara në mbarë botën, duke shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e qytetarëve në promovimin e paqes.

“Shpreh vlerësimin tim për nismat e panumërta të promovuara me këtë rast në të gjithë botën. Në veçanti, kujtoj marshimin kombëtar që u zhvillua mbrëmë në Katania dhe përshëndes pjesëmarrësit në atë të organizuar sot nga bashkësia e Sant’Egidio-s.”

Papa kujtoi se fillimi i këtij viti shënon 800 vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut.

“Dua t’i shtrij secilit person bekimin e tij të marrë nga Shkrimi i Shenjtë: ‘Zoti ju bekoftë dhe ju ruajtë. Ju tregojë fytyrën e tij dhe ju mëshiroftë. Le ta kthejë shikimin e tij mbi ju dhe t’ju japë paqe’. Nëna e Shenjtë e Zotit na udhëzoftë në rrugën e vitit të ri. Urimet më të mira të gjithëve”, shtoi Papa.