Mario Draghi mund të vendosë garanci për investitorët, duke i dhënë fund krizës


Eurozona po vlerëson mundësinë e ndihmës për Spanjën përmes ofrimit të garancive për investitorët që blejnë bonde të këtij vendi, një lëvizje e ideuar për të ruajtur aksesin e Spanjës në tregun ndërkombëtar të kreditit, si dhe të minimizojë kostot për taksapaguesit europianë, bëjnë të ditur burime konfidenciale për agjencinë “Reuters”.


Një zyrtar i lartë europian tha se plani mund të kushtojë 50 miliardë euro në vit. Ai mund t’i lejojë Spanjës të plotësojë tërësisht nevojat e veta për financim, si dhe të vendosë në punë mekanizmin e BQE-së për blerjen e bondeve spanjolle në tregun dytësor.


Nëse ky plan del me sukses, ai mund të arrijë dy qëllime kryesore: Spanja do të shpëtohet pa pasur nevojë për të gjitha fondet që BE-ja ka vendosur për shpëtim nga falimenti dhe, nga ana tjetër, nuk do të ketë infektim të Italisë nga kriza spanjolle. Sipas skemës që aktualisht është në diskutim në kryeqytetet e Europës, fondi i përhershëm i shpëtimit EMS do të garantojë 20-30 për qind të secilit prej bondeve të reja të emetuara nga Spanja.


Kryeministri i Finlandës, Jyrki Katainen, e publikoi idenë pas një takimi me Presidentin e Francës, Francois Hollande, disa ditë më parë: “Për të mbrojtur fondet tona publike, EMS mund të ndërhyjë në tregun primar duke mbuluar një pjesë të bondeve me garanci”, tha ai. Në këtë mënyrë, të 750 miliardë eurot që ka në dispozicion EMS do të mjaftojnë për të garantuar tri deri në katër herë më shumë borxhe.


Investitorëve ka shumë gjasa që t’u pëlqejë kjo ide, pasi në rast falimenti, Spanja pritet të shlyejë borxhet e veta në masën 70 apo 80 për qind, pra e gjithë pjesa e rrezikshme e bondeve spanjolle do të garantohet nga vendet e tjera të BE-së. Kjo është një ndërhyrje e ndryshme nga ajo që është kryer më herët për të shpëtuar Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, ku borxhet e privatëve u shlyen me anë të borxheve që u morën nga BE-ja, BQE-ja dhe FMN-ja.


Një opsion tjetër është që EMS-ja të blejë bondet spanjolle drejtpërsëdrejti në ankand, por kjo mund të jetë më e kushtueshme dhe mund të mos arrijë të njëjtën shkallë leve financiare. Por në të gjitha rastet, Spanja do të detyrohet të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me partnerët e vet të eurozonës, duke u angazhuar për një reformë me afate kohore të përcaktuara, si dhe për të pranuar mbikëqyrjen ndërkombëtare. Një zëdhënëse e qeverisë së Spanjës tha se nuk ishte e informuar për një plan të tillë dhe se ky vend ka axhendën e vet, e cila synon të nxisë partnerët europianë për krijimin e bashkimit bankar.


Propozimi i ri për garantimin e pjesshëm të bondeve të Spanjës mendohet se është më i pranueshëm politikisht për Gjermaninë, pasi angazhon më pak burime financiare dhe mbart më pak rrezik për paratë e taksapaguesve. Një program i plotë shpëtimi do ta nxjerrë Spanjën nga tregu dhe do të kërkojë 300 miliardë euro brenda dy vitesh. Spanja do të duhet të shesë bonde me vlerë të përgjithshme prej 207 miliardë eurosh në vitin 2013, gjë që nënkupton se 50 miliardë euro janë të mjaftueshme për të mbuluar këto bonde në masën 25 për qind. Në rast se Spanja del në treg me kushtet aktuale, ku interesat janë mbi 6 për qind, ajo me siguri që do të falimentojë.