Brazilianët kanë mbushur rrugët e qyteteve kryesore në një valë protestash të paprecedentë, duke kërkuar që ish-presidenti Jair Bolsonaro të vuajë plotësisht dënimin prej 27 vitesh burg për përpjekjen për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2022.

Protestat u ndezën nga frika e një amnistie që po diskutohet në qarqet politike. Qindra mijëra njerëz, të udhëhequr nga ikonat e muzikës si Caetano Veloso, Chico Buarque dhe Gilberto Gil, marshuan me thirrjet “Pa falje për diktaturën!” duke paralajmëruar se çdo kompromis do të ishte goditje për demokracinë.

Artisti i njohur Wagner Moura, ylli i serialit “Narcos”, iu bashkua protestuesve në Salvador duke thirrur: “Rroftë demokracia! Rroftë Brazili!”. Demonstrata u shtrinë edhe në qytete evropiane si Berlin, Lisbonë e Londër, duke e kthyer revoltën në një mesazh global për drejtësinë.

Në qendër të zemërimit është edhe ligji i ri i njohur si “Ligji i Banditëve”, i cili, sipas kritikëve, vështirëson ndëshkimin e politikanëve. Përkrahësit e demokracisë e shohin këtë si një përpjekje për të hapur rrugën e faljes së Bolsonaro-s, por protestuesit janë të vendosur: “27 vite do t’i vuajë të plota!”