Lufta kundër drogës
Qindra policë të Brazilit të mbështetur nga makina të blinduara dhe helikopterë hynë në disa lagje të varfra dhe shumë problematike për të vendosur kontroll, pasi këto lagje qenë kthyer në qendra të shpërndarjes së drogës.
Rreth 1500 policë dhe trupa speciale morën pjesë në operacion në lagjet veriore të metropolit të madh të Amerikës së Jugut. Këto lagje njihen si zona të ndaluara për pjesën tjetër të popullatës, për shkak të kriminalitetit shumë të lartë. Brazili po përpiqet të pastrojë lagjet e veta të rrezikshme si pjesë e përgatitjeve për Kampionatin Botëror 2014 dhe Lojërat Olimpike 2016.
Sulmet e policisë janë pjesë e një politike që zyrtarisht njihet si “paqësim” dhe synon krijimin e pranisë së përhershme shtetërore nëpër lagjet masive të përbëra nga barakat. Grupet e drogës dhe kriminelët duket se qenë tërhequr para se të fillonte operacioni.
Brazili është konsumatori më i madh i botës sa i përket kokainës krak dhe i dyti në botë për kokainën pas Shteteve të Bashkuara.
Policia lëvizi në grupe me nga tetë vetë, duke bastisur shtëpitë nëpër rrugicat e ngushta, ndërsa makinat e blinduara zunë pozicion në pika të larta. Në të shkuarën, policia shpesh është përpallur me grupe të armatosura gjatë operacioneve të tilla. Në shumë raste, operacionet e tyre janë shoqëruar me viktima mes civilëve të varfër.