Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur në shtetin amerikan të Kalifornisë, ku të shtënat me armë zjarri në afërsi të një zone të frekuentuar bregdetare kanë lënë pas dy viktima dhe dy persona të plagosur.
Incidenti është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Moss Landing, pjesë e Qarkut Monterey, jo shumë larg plazhit të njohur Moss Landing State Beach.
Pas njoftimit për të shtëna me armë, forcat e policisë janë drejtuar menjëherë në vendngjarje. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë konstatuar dy persona pa shenja jete, të cilët kishin pësuar plagë fatale nga armët e zjarrit.
Bilanci i ngjarjes përfshin edhe dy të plagosur, njëri prej të cilëve, sipas informacioneve të autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Zyra e Sherifit të Qarkut Monterey ka konfirmuar viktimat dhe të plagosurit, ndërsa ende nuk janë bërë publike të dhëna mbi identitetin e personave të përfshirë.
Për momentin, mbeten të paqarta rrethanat që çuan në përdorimin e armëve, si dhe nëse ngjarja lidhet me një konflikt mes personave të përfshirë.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur dinamikën e të shtënave dhe për të identifikuar personat përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë.
