Si do të dukej një ndërtesë nëse do të projektohej që në fillim rreth komunikimit me gjuhën e shenjave? Korridore më të gjera që lejojnë dy njerëz të ecin dhe të komunikojnë njëkohësisht, ndriçim që e bën fytyrën dhe duart qartësisht të dukshme dhe ulëse të vendosura në formë rrethore në mënyrë që njerëzit të kenë kontakt vizual. Pikërisht mbi këto parime po ndërtohet ideja e DeafCity Hub, një projekt që synon të krijojë qendrën e parë të përhershme kulturore dhe të bashkëpunimit në Britani të projektuar posaçërisht rreth komunitetit të personave që nuk dëgjojnë.

Pas projektit qëndron urbanistja dhe aktivistja Amanprit Arnold. Ideja nuk është thjesht të krijohet një ndërtesë “e aksesueshme” pasi është projektuar, por të përdoren që në fillim parimet e njohura si DeafSpace. Arkitektura merr parasysh mënyrën se si komunikojnë njerëzit që përdorin gjuhën e shenjave: fushën e shikimit, distancën mes personave, dritën, lëvizjen dhe nevojën për të parë njëkohësisht njerëzit dhe ambientin përreth.

Projekti synon të krijojë hapësira për art, kulturë, punë dhe komunitet, me një fokus të veçantë te British Sign Language. Fushata për qendrën po zhvillohet ndërsa komuniteti ka siguruar një hapësirë të përkohshme me mbështetje lokale, e cila do të përdoret për të demonstruar se si mund të funksionojë një qendër e tillë dhe për të ndihmuar në sigurimin e financimit për një seli të përhershme.

Ideja ka rëndësi edhe përtej Britanisë, sepse ngre një pyetje interesante për arkitekturën: sa shpesh ndërtesat që përdorim çdo ditë janë projektuar duke marrë një lloj të vetëm përdoruesi si “normal”? Shumë ndërhyrje për aksesueshmërinë bëhen pasi ndërtesa ka përfunduar. DeafSpace e përmbys procesin dhe e vendos eksperiencën e përdoruesit në pikën e nisjes së dizajnit. Në këtë rast, aksesueshmëria nuk po trajtohet si një rampë apo tabelë që shtohet në fund. Po bëhet vetë arkitektura, dhe pikërisht kjo mund ta bëjë DeafCity Hub një model interesant edhe për qytete të tjera.