Mbretëria e Bashkuar ka thirrur ambasadorin rus në Londër, Andrei Kelin, pas asaj që e cilëson si shkelje “tërësisht të papranueshme” të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia.
Reagimi i ashpër vjen pasi Rumania njoftoi se një dron rus kishte shkelur hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ndaj Ukrainës fundjavën e kaluar, vetëm disa ditë pasi Polonia rrëzoi mbi 10 dronë rusë që kishin hyrë në territorin e saj.
“Shkelja e rëndë dhe e paprecedentë e hapësirës ajrore të Polonisë dhe NATO-s nga dronët rusë javën e kaluar, e ndjekur nga një tjetër shkelje në hapësirën ajrore rumune të shtunën, është tërësisht e papranueshme.“, tha Ministria e Jashtme britanike, në një deklaratë sipas Sky News.
Në deklaratë thuhet gjithashtu: Ne qëndrojmë të bashkuar me Poloninë, Rumaninë, Ukrainën dhe aleatët tanë të NATO-s në dënimin pa rezerva të këtyre veprimeve të rrezikshme. Ndërsa kontinenti ynë përballet sërish me zgjerimin e sjelljes së pamatur të Rusisë, mbrojtja e Ukrainës ndaj agresionit të Putinit është thelbësore për sigurinë e të gjithë Europës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas ministrisë së Jashtme britanike, Rusia duhet të kuptojë se agresioni i vazhdueshëm vetëm sa forcon unitetin midis aleatëve të NATO-s dhe vendosmërinë e tyre për të qëndruar në krah të Ukrainës. “Çdo shkelje e mëtejshme do të përballet sërish me forcë… Rusia duhet të ndalë luftën e saj të paligjshme në Ukrainë.”
Të shtunën, Polonia aktivizoi avionë ushtarakë si masë “parandaluese” për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, për shkak të rrezikut të shtuar nga sulmet me dronë në Ukrainë.
Ndërkohë, Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur ushtrime të përbashkëta ushtarake mbi Detin Barents, pranë brigjeve të Norvegjisë dhe Rusisë, që nga java e kaluar, duke shtuar më tej tensionet në rajon.
Këto zhvillime vijnë mes shqetësimeve në rritje për përhapjen e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës, duke vënë në alarm vendet e NATO-s që ndajnë kufij me zonën e konfliktit.