Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj 15 komandantëve ushtarakë, drejtuesve të milicive dhe zyrtarëve të sigurisë në Sudan, të dyshuar për krime lufte gjatë rënies së qytetit El-Fasher.
Masat përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, ndërsa në fokus janë akuzat për dhunë seksuale, tortura, vrasje masive dhe sulme ndaj civilëve. Sanksionet prekin persona të lidhur si me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ashtu edhe me ushtrinë sudaneze.
Vendimi i Londrës vjen pas publikimit të një raporti të financuar nga qeveria britanike, i cili dokumenton përdorimin sistematik të urisë dhe dhunës seksuale si mjete të luftës ndaj popullsisë civile.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se përgjegjësit për krime kundër njerëzimit duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa mbështetja e jashtme për palët ndërluftuese duhet të marrë fund.
Përveç sanksioneve, qeveria britanike ka njoftuar edhe një paketë ndihme prej 15 milionë paundësh: 5 milionë për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe 10 milionë për ndihmën humanitare.
Lufta në Sudan nisi në prill të vitit 2023 dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare. Sipas Amnesty International, dhjetëra mijëra civilë janë vrarë dhe rreth 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
