thaci-dacic 1Kosova dhe Serbia kanë arritur dakord në parim për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, raporton “REL”.


Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç kanë përmbyllur të mërkurën në Bruksel bisedimet e nisura një ditë më parë, me qëllim të arritjes së akordit për planin në fjalë.


“Sapo përmbyllëm takimin. Kemi arritur pajtueshmëri parimore sa i përket planit të implementimit. Ka mbetur që kjo pajtueshmëri të verifikohet në kuadër të qeverive të Kosovës dhe të Serbisë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.


“Në pajtueshmërinë parimore janë të përcaktuara periudhat kohore dhe aktorët implementues në gjashtëmujorin e ardhshëm”, ka saktësuar ai.


Sipas shefit të qeverisë kosovare, kjo marrëveshje implementimi është në pajtim të plotë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të arritur muajin e kaluar mes tij dhe homologut serb.


“Ky është një angazhim kreativ i dy vendeve, por fjalën kryesore e kanë qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë. Në ditët e ardhshme do të takohen ekipet profesionale”, ka thënë Thaçi.


 


22 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)