Thellë nën Maleve Shkëmbore të Kolorados fshihet një nga objektet më sekrete të ushtrisë amerikane – kompleksi i Malit Cheyenne. Ky bunker gjigant, i ndërtuar në kulmin e Luftës së Ftohtë, u projektua për të mbrojtur udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të SHBA-së në rast të një lufte bërthamore.
Një qytet nën granit
Kompleksi është i gdhendur në mbi 700 mijë tonë granit dhe mund t’i përballojë një shpërthim bërthamor 1,000 herë më të fuqishëm se bomba e Hiroshimës. Ai përfshin 15 ndërtesa të izoluara mbi burime gjigante që thithin goditjen e shpërthimeve, një termocentral të brendshëm, rezerva ushqimore dhe liqene nëntokësore me ujë të pijshëm. Madje, brenda funksionon edhe një restorant Subway, i njohur si “Subway më i sigurt në botë”.
Kompleksi u bë operacional në vitin 1966 me një kosto prej 142 milionë dollarësh (sot më shumë se 1 miliard) dhe gjatë dekadave u njoh si “vendi më i sigurt në Tokë”. Përveç mbrojtjes fizike, muret prej graniti dhe çeliku e izolojnë edhe nga valët elektromagnetike që vijnë nga shpërthimet bërthamore. Dyert masive të blinduara mbyllen brenda 45 sekondash.
Roli gjatë krizave
Pas Luftës së Ftohtë, funksioni kryesor u zhvendos në Bazën e Forcave Hapësinore Peterson në Colorado Springs, por Cheyenne Mountain mbeti si një qendër rezervë strategjike. Më 11 shtator 2001, për herë të parë pas dekadash, dyert e tij u mbyllën gjatë një krize reale. Sot, personeli vazhdon të shërbejë me rotacion për të ruajtur gatishmërinë.
Komanda në rast katastrofe
Në një skenar bërthamor, plani i vazhdimësisë parashikon që presidenti fillimisht të zhvendoset në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë, më pas në avionët specialë E-4B “Doomsday”, ndërsa anëtarë të tjerë të qeverisë transferohen në objekte të fortifikuara si Mount Weather apo Raven Rock. Në këtë situatë, Cheyenne Mountain do të vazhdonte misionin e tij: paralajmërimin e hershëm për raketat, gjurmimin e avionëve armik dhe koordinimin e mbrojtjes amerikane dhe kanadeze.