Policia ka deklaruar se 13 të burgosur dhe një roje burgu janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur në përleshjet midis bandave rivale në një burg në Ekuador. Njerëzit që jetojnë pranë burgut në qytetin jugperëndimor të Machalës raportuan se dëgjuan shpërthime dhe të shtëna në orët e para të së hënës sipas orës lokale.
Shefi i policisë, William Calle, tha se një numër i panjohur të burgosurish kishin ikur gjatë incidentit, por deri më tani 13 prej tyre janë rikapur. Përleshjet dhe trazirat vdekjeprurëse në burgje nuk janë të rralla në Ekuador, me bandat që shpesh synojnë anëtarët e grupeve rivale.
Policia fajësoi anëtarët e një bande kriminale që e quan veten Los Lobos Box për dhunën e së hënës. Banda nuk ka komentuar mbi incidentin. Raportet paraprake sugjerojnë se personeli i sigurisë nxitoi në njërën nga krahët e burgut pasi mori një telefonatë alarmi nga ata që ndodheshin atje.
Kur mbërritën, të burgosurit i morën peng dhe vranë një nga rojet. Sipas raportimeve, anëtarët e Los Lobos Box më pas hynë me forcë në një krah ku ishin të mbyllur rivalët e tyre dhe i sulmuan.
Disa të burgosur arritën të shpëtonin përmes një vrime në murin rrethues të shkaktuar nga një pajisje shpërthyese që kishin aktivizuar. Ende nuk është e qartë se si janë futur eksplozivët kontrabandë në burg.
Midis 14 të plagosurve janë dy oficerë policie, tha Komandanti Calle. Ai shtoi se forcat e sigurisë kishin rimarrë kontrollin e burgut pasi kishin vendosur 200 policë dhe ushtarë.
Sipas stacionit televiziv ekuadoras Ecuavisa, banorët e Machalës kanë kërkuar prej kohësh që burgu, i cili ndodhet në qendër të qytetit, të zhvendoset.
Ekuadori ka pasur vështirësi të përmbajë një valë dhune nga bandat që e ka transformuar atë nga një nga vendet më të sigurta në Amerikën Latine në një nga më vdekjeprurësit.
Bandat e burgjeve kanë luajtur një rol kyç në drejtimin e sipërmarrjeve kriminale nga pas hekurave dhe kanë lidhur aleanca me kartelet meksikane të drogës për të kontrolluar rrjedhën e kokainës nga vendet fqinje prodhuese përmes porteve të Ekuadorit në SHBA dhe më gjerë.
Më herët këtë muaj, Shtetet e Bashkuara i klasifikuan dy banda ekuadoriane – Los Lobos dhe Los Choneros – si Organizata të Huaja Terroriste (FTO).
Departamenti Amerikan i Shtetit tha në atë kohë se “qëllimi përfundimtar i bandave është të kontrollojnë rrugët e trafikimit të drogës përmes Ekuadorit duke terrorizuar dhe duke shkaktuar dhunë brutale ndaj popullit ekuadoras”.